Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili deklaron se varri i çdo sistemi zgjedhor është plaçkitja e votës me kriminelë dhe trafikantë.

Përmes një analize të gjatë në rrjetet sociale, Vasili shprehet se opozita është tepër e qartë publikisht, por edhe me shkrim, për mënyrën e zgjidhjes së reformës zgjedhore opozita pa u hequr asnjë hap pas detyroi maxhorancën të pranojë zgjidhjen e saj.

Postimi i plotë:

Analiza zjarr fikur dhe opozita koherente!

E kompleksuar, inatçore dhe in koherente shpesh analiza politike duket e zhduket në ambientin tonë, ashtu e sipërfaqshme dhe pa efekt, si gjysëm ore mjegull që vjen e shkon.

Apatike dhe komentuese monotone postfaktum e ngjarjeve të ditës, analiza thuajse asnjë herë nuk e udhëheq mendimin.

E vendosur shpesh në fronin e një moralizim, të cilit as i përket dhe as e përfaqëson analiza politike bie shpesh në nivelin e kumtimit të dogmave boshe, që analiste të caktuar as i besojnë dhe as i mishërojnë, por thjesht i shqiptojnë sa për të thënë që jemi edhe ne.

Aq me e pabesueshme dhe padobishme bëhet analiza kur mëton të analizoje politikën bazuar mbi predikimin dhe jo racionalitetin, duke refuzuar të vërtetat e duke shpikur fantazira e triller, që nuk ekzistojnë.

Ndërsa opozita shqiptare ka paraqitur shumë qartë shtratin parimor të aksionit të saj si dhe gadishmërinë për çdo sakrificë, komentatorë të fikur përpiqen të deformojnë një realitet sa të qartë aq edhe jetik për vendin.

Tepër e qartë publikisht, por edhe me shkrim, për menyrën e zgjidhjes së reformës zgjedhore opozita pa u hequr asnjë hap pas detyroi maxhorancën të pranojë zgjidhjen e saj.

Duke djegur mandatet dhe duke refuzuar votimet moniste të 30 qershorit shitblerja e votes, reforma zgjedhore dhe zbatimi i saj u vunë si çështje të shtuara në kushtet e Bundestagut dhe u provua botërisht që të zgjedhurit rilindas në bashki të 30 qershorit ishin të inkriminuar dhe të kriminalizuar.

Çdo koment më tej përballë një koherencë të tillë, që nuk lë vend për diskutim është thjesht një shtërzim artificial ose naiv ose i lig.

Sigurisht ka vetëm një kryebetejë, që është ajo kundër shitblerjes dhe kriminalizmit të votës.

Çdo piruetë jashtë këtij objektivi përfshirë lojën me sistemin zgjedhor është thjesht një ikje nga pika më e nxehtë, që bën edhe diferencën mes shqiptarëve dhe pushtetit të votave të vjedhura dhe të kriminalizuara.

Hyjnizimi i një sistemi zgjedhor të caktuar është kaq bajat dhe qesharak sa çdo koment do të ishte i tepërt, por aq me e dhimbshme bëhet situata kur në këtë nivel bie edhe analiza politike.

Predikimet e trasha të një sistemi “magjik”, që rrëzokërka kryetarët, që rrëzokërka partitë, rrëzokërka politikën etj broçkulla si këto, janë mjerim për ata që i besojnë dhe turp profesional për ata që i predikojnë përmes analizës se tyre alogjike dhe klienteliste.

Opozita ka qenë tepër koherente dhe sigurisht nuk mund dhe nuk do të shndërrohet në një klientë e ditës për emocionet e çartura të analizës mediatike dhe as viktimë e mbushjes së rreshtave dhe protagonizmit prej damash të perënduara të analistëve tutje tëhu.

Varri i çdo sistemi zgjedhor është plaçkitja e votës me kriminelë dhe trafikantë.

Kjo po, kërkon investigim në terren nga analiza mediatike ,kërkon edhe sakrifica të përballjes së fortë me përfaqësuesit e qeverise, të krimit dhe trafiqeve siç ndodh me analizën mediatike kudo në botë.

Jashtë kësaj, komentet e një morali bajat apo klientelizmi të ditës, e bëjnë analizën që të jetë siç thashë edhe me lart mjegull, qe vjen e ikën dhe le aq gjurmë sa lë mjegulla….