Është një Milan fitues, bindës dhe që për herë të parë këtë sezon shijon shkëputjen e vërtetë. Pas 9-të javësh kuqezinjtë e shohin veten plus pesë nga Inter e Sassuolo, në Milanelo tashmë askush nuk fshihet, më të drejtë kërkojnë titullin kampion që i mungon nga sezoni 2010-11, ku në stol ishte Allegri. Me 23 pikë pas nëntë javësh, Milan vendos një rekord të ri, më shumë pikë të grumbulluara që kur një fitore vlerësohet me tre pikë, rekordin e mbante Milani i Ancelottit në sezonin 2005-06. Ibra me shokë nuk humbin një ndeshje që nga 8 marsi, thyejnë një tjetër rekord që qëndronte në fuqi që nga sezoni i largët 1972-73.

Ndaj Fiorentinës ishte ndeshja e 11-të radhazi në Serie A që “djalli” shënon të paktën dy gola. Një tjetër fakt që ngroh ambientin kuqezi është se ekipi i Piolit nuk është i varur nga Ibrahimovic, këtë e konfirmuan sërish edhe këtë të diel. Në gjashtë ndeshje pa Ibrën në fushë, Milan ka fituar pesë dhe ka barazuar një. Duke parë edhe rendimentin e rivalëve, me shumë ulje ngritje, kuqezinjtë javë pas jave besojnë gjithnjë e më shumë tek titulli kampion.