480 mijë nxënës të arsimit parauniversitar nisën sot vitin e ri shkollor, por në kushte tërësisht të tjera, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Për psikiatrin Gentian Çala, ajo që u vu re ishte rrëmuja e madhe para dyerve të shkollës.

Në një lidhje përmes Skype për ‘Ora News’, ai tha se gjatë ndërrimit të turneve të mësimit, pati një dyndje të nxënësve dhe prindërve që i prisnin, duke mos respektuar distancimin social.

Gentian Çala: ”Ajo që binte në sy, ishte që dita e parë e shkollës u karakterizua nga një rrëmujë para dyerve të shkollave, ndoshta nga më shumë rregull brenda shkollave. Duket që sapo shkohet në mjetet e transportit që dërgojnë arsimtarët ose nxënësit sidomos në ato private, apo qoftë grumnullimeve dhe ndërrimit të turneve të mësimit, vihet re një dyndje e nxënësve dhe prindërve, e cila krijon një situatë ku nuk respektohet distancimi social.”

Përsa i përket numrit të psikologëve në shkolla, Çala u shpreh se është i ulët.

Sipas tij, ka 410 psikolog për 480 mijë nxënës, çka është shumë e vështirë të përballohet, sido0mos në kushtet e pandemisë.

Gentian Çala: ”Përsa i përkiet psikologëve në shkolla, mendoj se ka një numër shumë të vogël të tyre. Në sistemin tonë arsimor, duke filluar nga ai parashkollor e deri te arsimi i lartë, ne kemi 410 psikolog e punonjës social në shkolla kur numri i nxënësve shkon në 480 mijë. Pra, është një numër shumë i vogël. Duke pasur parasysh problematikat e shtuara që lidhen me pandeminë, mendoj se numri dhe mundësitë për këshillim apo ndihmë të fëmijëve që mund të ketë probleme të tilla, është shumë i vogël.”