Si pjesë e festimeve të 10 vjetorit të kompanisë, Xiaomi prezantoi ditën e Mërkure një televizor ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim.

Është një televizor transparent që Xiaomi e quan Mi TV Lux OLED Transparent Edition. Kur është i fikur duket si një xham ndërsa kur është i ndezur imazhet shfaqen duke “pluskuar” mbi ajër thotë Xiaomi.

Ajo që e bën të veçantë këtë televizor është teknologjia OLED transparente ose quajtur ndryshe TOLED. Shumica e ekraneve përdorin një shtresë reflektuese katode duke mos ju lejuar të shikoni në anën tjetër.

Ekranet TOLED përdorin komponentë transparentë dhe duke mos pasur nevojë për dritë të pasme si ekranet LCD, secili piksel emeton dritën e vete duke bërë të mundur një ekran transparent.

Rezultati është një ekran 55-inç me frekuencë rifreskimi prej 120Hz, vonesa transmetimi 1ms, kontrast 150,000:1 dhe profil ngjyrash DCI-P3 prej 93%.

Në brendësimi të tij është një çip MediaTek 9650 ndërsa Xiaomi përmend në prezantim edhe inteligjencën artificiale.

Lajmi i keq është se do të shitet vetëm në Kinë dhe kushton 7,200 dollarë.